Ndeshja Shqipëri–Finlandë, ja rrugët që do të bllokohen sot në Tiranë
Ndeshja Shqipëri–Finlandë, që zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, do të sjellë kufizime të qarkullimit në disa rrugë të Tiranës nga ora 17:00.

Policia e Shtetit ka njoftuar një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri–Finlandë, e cila do të zhvillohet sot, më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të aktivitetit sportiv, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit.
Sipas njoftimit të Policisë, rrugët që do të bllokohen janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit; rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së; rrugët “Dervish Hima” dhe “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës Amerikane; si dhe rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje të saj.
Kufizime do të ketë edhe në rrugën “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së; rrugën “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës; dhe rrugën “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Ndërkohë, pak para përfundimit të ndeshjes, qarkullimi i automjeteve në sheshin “Wilson” do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri”.
Policia bën të ditur se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Gjithashtu, tifozët do t'u nënshtrohen kontrolleve të sigurisë përpara hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme, fishekzjarrëve, flakadanëve dhe materialeve me përmbajtje raciste.
Qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve duhet të marrin parasysh kufizimet e njoftuara gjatë planifikimit të lëvizjeve në zonat pranë stadiumit.
Burimi: Ekofin
Më të lexuarat






k.jpg)